Në takimin midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin , i cili fillimisht ishte menduar të ishte një takim kokë më kokë me vetëm dy përkthyes të pranishëm, po marrin pjesë katër persona të tjerë.
Nga ana amerikane është Sekretari i Shtetit Marco Rubio , i cili në vitin 2016 e sfidoi Trumpin në zgjedhjet paraprake republikane për të zgjedhur kandidatin presidencial (ai doli i treti), por më pas u bë aleat i ish-manjatit, dhe Steve Witkoff, një avokat dhe zhvillues pasurish të paluajtshme dhe mik i Trumpit, i cili në muajt e fundit është bërë i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë i ngarkuar me menaxhimin e dosjeve më të ndjeshme ndërkombëtare, siç është kriza e Lindjes së Mesme dhe, pikërisht, konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës.
Nga pala ruse, Putinit ju bashkua shtatëdhjetë e pesë vjeçari Sergei Lavrov, një veteran që shërbeu si ambasador i Moskës në Kombet e Bashkuara për dhjetë vjet dhe ka qenë Ministër i Jashtëm për njëzet e një vjet, dhe Yuri Ushakov, këshilltari që është gjithmonë në anën e “carit” kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, falë përvojës së tij dhjetëvjeçare si ambasador i Kremlinit në Uashington, nga viti 1998 deri në vitin 2008.
Trump dhe Putin do të diskutojnë mënyrat për dhënien fund të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Para se të nisej nga Uashingtoni në Alaskë, Trump u ka thënë gazetarëve se shpreson që do të ketë rezultat.
Para këtij takimi, dy liderët kanë biseduar të paktën pesë herë përmes telefonit, prej kur Trump e ka marrë mandatin në janar të këtij viti.