Zjarret masive që përfshinë Bashkitë Delvinë, Finiq dhe Gramsh, përveçse shkaktuan 1 viktimë, djegie të shumë shtëpive dhe bizneseve, kanë shkaktuar edhe dëme në disa ferma.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në fshatin Sirakat, Njësia Administrative Mesopotam, është konstatuar djegia e një stalle me 4 viça, si dhe djegia e 2 parqeve me bletë.
Ndërsa në Bashkinë Delvinë paraprakisht dyshohet për djegien e një ferme me 25 krerë të imta dhe 9 parqe bletësh.
Në fshatrat e Gramshit deri më tani rezulton të jenë shkatërruar 42 banesa, 130 krerë bagëti të imta, 22 gjedhë, 80 koshere bletësh dhe një numër i konsiderueshëm shpendësh të ngordhur.
Autoritetet kanë nisur procesin e groposjes së kafshëve për të parandaluar rrezikun e epidemive, ndërsa shërbimi veterinar ka përpiluar procesverbalet përkatëse.
Ndërsa në Dhivër, Bashkia Finiq, janë dëmtuar kullota dhe ullishte. Fermat që rrezikoheshin nga mungesa e ushqimit për bagëtitë u evakuuan në zona të sigurta me kullota, larg vatrave të zjarrit.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka ngritur grupet e punës për monitorimin e fermave dhe raportimin mbi gjendjen e shëndetit të kafshëve blegtorale në zonat e prekura nga zjarret.
Klan News