Jo vetëm bregdeti tërheq vizitorë të shumtë në vendin tonë, por edhe sitet arkeologjike dhe kulturore. Referuar të dhënave zyrtare, vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti, mbi 773 mijë vizitorë kanë zgjedhur këto pika turistike, me një rritje prej 69% më shumë se në vitin 2023.
Ndërsa, nëse i referohemi të dhënave vetëm për muajin korrik, u regjistruan mbi 204 mijë vizitorë vendas dhe të huaj që vizituan këto thesare arkeologjike dhe kulturore, duke shënuar një rritje prej 56% krahasuar me muajin korrik të vitit 2023.
Pikat më tërheqëse për turistët e huaj dhe vizitorët vendas gjatë 6 muajve të parë të vitit mbeten kalatë dhe monumentet e ndryshme, që u vizituan nga rreth 200 mijë persona.
Ndërsa, nëse i referohemi 5 destinacioneve kryesore historike, arkeologjike dhe kulturore, Parku Kombëtar i Butrintit zë vendin e parë me plot 150,178 vizitorë në periudhën janar-korrik të këtij viti.
Ndjekur nga Kalaja e Gjirokastrës me mbi 142 mijë vizitorë, ndërsa 100 mijë vizitorë panë nga afër Parkun Arkeologjik të Shkodrës, ndjekur nga Muzeu Gjergj Kastrioti në Krujë me mbi 95 mijë vizitorë dhe në vend të pestë renditet Parku Arkeologjik i Apolonisë me 71 mijë vizitorë sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Klan News