Policia e Vlorës ka identifikuar autorin e dyshuar që ka qëlluar me armë gjahu ndaj kuajve në zonën e Llogarasë në Vlorë.
Sipas uniformave blu mësohet se kanë nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj 55-vjeçarit me iniciale S.M., nga Orikumi.
Këtij të fundit iu sekuestrua edhe një çifte për ekzaminime të mëtejshme.
“Në vijim të dokumentimit të plotë për rastin e referuar në Prokurori, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”, ku në territorin e parkut të Llogarasë, fillimisht dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të shtetasit K. K., 46 vjeç, por nga verifikimet rezultoi se ishte dëmtuar njëri prej tyre, të cilit i ishin shkaktuar disa dëmtime nga armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe nisjen e procedimit penal në ngarkim të tij, konkretisht ndaj shtetasit S. M., 55 vjeç, banues në Orikum.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua, për ekzaminime të mëtejshme, edhe një armë gjahu në pronësi të shtetasit S. M.”, njofton policia.