Policia e Tiranës identifikon 2 shtetas që vodhën me thyerje, në 2 banesa, ndërkohë që ka vënë në pranga njërin e ka shpallur në kërkim tjetrin.
Në banesën e të arrestuarit gjenden dhe sekuestrohen 900 000 lekë, 5 700 euro, 12 ora, 20 bizhuteri (varëse, unaza) dhe 8 celularë, të dyshuara të vjedhura, dhe mjete që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve.
‘Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës/pasurisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Vlera”, si rezultat i të cilit janë zbardhur 2 raste vjedhjesh dhe janë identifikuar 2 autorët e dyshuar. Njëri prej tyre, shtetasi R. K., 57 vjeç, është arrestuar, ndërsa tjetri, shtetasi G. L., 30 vjeç, është shpallur në kërkim. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me thyerje, në 2 banesa, gjatë muajve shkurt dhe korrik, shuma të konsiderueshme parash, sende me vlerë dhe celularë’, thuhet në njoftimin e policisë.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer ai dhe shtetasi i arrestuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.