Shqipëria, drejt një ekonomie pa ‘Cash’

Në një vend ku për dekada paraja fizike ka dominuar ekonominë, Shqipëria po përballet me sfidën e madhe të reduktimit të Cash-it. Më shumë se 95% e transaksioneve kryhen ende me para në dorë, veçanërisht në tregtinë e vogël dhe shërbimet e përditshme. Shoqata e Bankave e sheh këtë si një barrë që pengon formalizimin, konkurrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik.

“Cash-i është një sëmundje për ekonominë, sepse nuk e lejon të shfaqet ashtu siç është në të vërtetë. Është një mjet për evazion, për informalitet dhe deformon konkurrencën. Është thelbësore të reduktohet sa më shumë. Përdorimi i pagesave dixhitale nuk është vetëm lehtësi, por mënyrë për të kuptuar vendin tonë si individë në shoqëri”, thotë Spiro Brumbulli, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Edhe pse ka përparime, sfidat janë të mëdha, sidomos me bizneset e vogla që vijojnë të punojnë thuajse vetëm me Cash. Shqipëria mbetet pa një tavan të detyruar për pagesat me para fizike për individët.

“Ndryshe nga vendet e rajonit si Greqia dhe Maqedonia që e kanë kufirin e Cash-it deri në 500 euro, ne e kemi vetëm për biznesin e madh. Ndërkohë, nga bizneset kërkohet të ofrojnë një alternativë pagese përveç Cash-it. Me SEPA-n në tetor dhe pagesat instant që vijnë më pas, kemi një hap kolosal përpara. Duhet ndërgjegjësim, internet dhe vullnet politik. Nëse angazhohen të gjithë, mund të shkojmë nga 90 në 60% përdorim Cash, një ndryshim i madh për mentalitetin tonë”, shton Brumbulli.

Zvogëlimi i parasë fizike është një domosdoshmëri për një ekonomi më transparente, më të sigurt dhe më të zhvilluar. Por ky tranzicion kërkon kohë, edukim dhe vendosmëri.

Tv Klan




Ju sugjerojmë

Para















TE FUNDIT