Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur një aksion inspektimi në gomisteritë e kryeqytetit, në kuadër të lirimit të hapësirave publike dhe mbrojtjes së mjedisit nga ndotja.
Përmes një postimi në rrjete sociale, IKMT njofton se fokus i aksionit janë gomisteritë që ushtrojnë aktivitet në zonat urbane të Tiranës, duke zënë hapësira publike, ndotur mjedisin dhe rrezikuar sigurinë e këmbësorëve.
“Në kuadër të respektimit të kritereve ligjore për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ka nisur aksioni për inspektimin dhe paralajmërimin e subjekteve që gjenerojnë mbetje nga gomat e përdorura.
Fokus i aksionit janë gomisteritë që ushtrojnë aktivitet në zonat urbane të Tiranës, duke zënë hapësira publike, ndotur mjedisin dhe rrezikuar sigurinë e këmbësorëve.
Sot, IKMT ka nisur ndërhyrjen për largimin e këtyre subjekteve në shkelje të ligjit.
Aksioni synon rikthimin e hapësirave të pastra, të lira dhe të sigurta për të gjithë qytetarët”, njofton IKMT.