Siç njofton edhe Policia, drejtori i IKMT-së në Shkodër, Emiljano Nika, është kërcënuar nga persona ende të paidentifikuar.
Mësohet se në pjesën e jashtme të banesës së tij në Velipojë, mbi kangjellat e portës, i kanë lënë një kurorë me lule.
“Më datë 18.07.2025, shtetasi E. N., 44 vjeç, banues në Shkodër, ka kallëzuar se në banesën ku jetojnë vetëm prindërit e tij, në fshatin Sektor, Velipojë, në pjesën e jashtme të banesës, mbi kangjellat e portës, ka konstatuar një kurorë me lule. Po punohet për sqarimin e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit”, thonë blutë.
Dyshohet se kjo formë kërcënimi ka ardhur për prishjet që ka bërë IKMT në Theth, pas konstatimit të ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur. /tvklan.al