Është viti 2025 dhe zona të tëra në kryeqendrën e vendit, në Tiranë, furnizohen me ujë përmes autobotëve.
Kjo pasi prej më shumë se një jave, në rubinetët e banorëve nuk rrjedh asnjë pikë ujë.
Banorët thonë se janë kthyer në mesjetë edhe për nevojat më bazike.
“Shkojmë andej nga gardhet për të mbaruar punë, ose futemi nga tre veta për të shtypur butonin e kasetës së tualetit, kjo është ajo që bëjmë ne”, u shpreh një banor.
Pranë çdo banese shikon depozita uji bosh dhe dhjetëra bidonë të blera për konsum të përditshëm.
“U bë gati një javë s’kemi ujë… Kanë ardhur sot me bot dhe po na furnizojnë”, tha një banor tjetër.
Interesimit të TV Klan, UKT iu justifikua duke thënë se shkak janë problemet e shpeshta të amortizimit të rrjetit dhe problemet kërkojnë kohë për zgjidhje. Por ky pretendim hidhet poshtë nga banorët që thonë se kjo situatë është e përsëritur.
“Qershor, korrik e gusht nuk kemi ujë”, tha banori tjetër.
Tirana është qyteti me një numër shumë të madh turistësh gjatë këtyre ditëve, por si t’ia bëjnë për ujë qoftë ata që strehohen nëpër hotele apo më keq akoma ata që janë klientë të apartamenteve të shumta që jepen me qira në Airbnb.
Mungesa e ujit në kulmin e sezonit turistik është antireklama më e madhe për turizmin që duam. Dhe sigurisht, një turist që nuk ka ujë për t’u larë, jo vetëm s’ka shans të kthehet më në Shqipëri, por do t’ua përcjellë këtë mungesë jetësore gjithkujt që takon e që mund ta ketë pasur në plan për të vizituar Shqipërinë.
Uji i pijshëm në administrim të bashkive duket se ka dështuar zyrtarisht, ndaj qeveria duhet ta shpallë emergjencë kombëtare furnizimin me ujë nëse nuk duam ta heqim Shqipërinë nga harta turistike e Europës.
Tv Klan