Pas një takimi maratonë që zhvilloi këtë të premte me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve në Berat, kryeministri Rama u ndal tek të gjitha propozimet që kishte marrë nga ekspertët e fushës.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë shqiptare kritikoi bankat se nuk kanë bërë ndryshimet e duhura në lidhje me digjitalizimin sa i përket transaksioneve financiare.
Kreu i qeverisë Rama theksoi se pavarësisht që legjislacioni është përshtatur, bankat kanë mbetur prapa në këtë proces, që sipas tij, pengon ndërveprimet sa i përket transaksioneve financiare.
“Dua të them që sot ka pasur shumë brumë në tryezë edhe që nëse do të arrijmë të vendosim piketat që kemi diskutuar dhe pastaj të ndjekim një hartë veprimesh, do arrijmë të bëjmë më të mirën. Ka qenë kënaqësi edhe për të njohur nga afër disa inovatorë, edhe më prezantuan edhe një dokument të vjetër që ishte shumë tërheqës për qendrën e mendimit novator. Bankat që janë në kushtet e një prapambetje që po kërcënon progresin e sektorit dhe për më tepër e pajustifikuar po të kemi parasysh që gjithë legjislacioni i nevojshëm është i miratuar, gjithë instrumentet janë në dispozicion dhe këmbëngulja e bankave për të mos lëvizur me të njëjtin ritëm jo vetëm dëmton sektorin, por në tërësi interesat e shoqërisë duke penguar lehtësimin e mëtejshëm të të gjitha ndërveprimeve që lidhen me transaksionet financiare”, shprehet Rama.
















