“Kombet janë nga më të ndryshmet. Jo vetëm nga Europa, por edhe nga kontinente të tjera janë vizitorët të cilët i drejtohen Shqipërisë në këto ditë vere,” raporton gazetari i Klan News, Maksi Rama.
Mikpritja shqiptare, ushqimi, bukuritë e vendit dhe plazhet e mrekullueshme janë vetëm disa nga arsyet e listës së preferencave të turistëve të huaj.
“Ne po vizitojmë Shqipërinë për plazhet e bukura, Tiranën, Beratin. Shqiptarët janë të mirë.”
“Vizituam shtete këtu pranë dhe Shqipëria na u duk e bukur. Njerëzit na thanë që ishte mirë këtu, ndaj donim të vinim me patjetër.”
“Në vendin tonë na kanë thënë se njerëzit këtu janë shumë mikpritës dhe i duan turistët, edhe ata izraelitë. Ka mjaft peizazhe të bukura për t’u vizituar. Mendoj se është një vend i këndshëm dhe mendova të vija këtu për të parë shumë gjëra në një javë.”
“Në internet tregohen vendet e çmuara të Shqipërisë. Kam dëgjuar që ushqimi është shumë i mirë dhe që ka njerëz shumë miqësorë.”
“Është një vend interesant për t’u vizituar dhe kam dëgjuar që ka shumë diell këtu.”
“Një vend ndryshe, pasi nuk kemi qenë më parë këtu. Donim të shihnim si jetohet këtu në Shqipëri, ndërsa moti këtu është perfekt.”
Sitet arkeologjike, muzetë, kalatë, por edhe Alpet e vendit janë ndër zgjedhjet e të huajve, ku vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2025, rreth 4.8 milionë turistë të huaj zgjodhën Shqipërinë si të preferuarën e tyre. Klan News