Gjatë takimit me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit, start up-eve i zhvilluar në Berat, kreu i qeverisë vuri theksin te mbrojtja kibernetike, duke deklaruar se Shqipëria sulmohet çdo ditë, në mënyrë sistematike nga hakerat.
Kryeministri në fjalën e tij kërkoi që të ndërtohet një sistem i tillë, që institucionet në nivel vendor apo sektori privat, të investojnë në teknologji.
“Armiku i padukshëm”, tha ai nuk duhet neglizhuar pasi kemi të bëjmë me një nga vendet më të fuqishme të terrorizmit kibernetik.
“Kemi shumë potencial dhe duam që në këtë mandat, të vëmë shumë theksin në këtë pikë dhe të rrisim mbështetjen, kur vjen puna tek sektori privat ju dini sa larg jemi. Ne jemi para, sepse qeveria është fiksuar tek kjo që ditën e parë. Kemi kompani të mëdha në Shqipëri që mund të bëjnë në këtë fushë për vetën e tyre dhe janë të pambrojtura nga ana e cyber, mund të shkosh dhe ti sulmosh e ti bësh copash. Ne nuk jemi në luftë me një haker anonim, ne jemi në luftë me një nga vendet më të fuqishme kibernetike. Kemi çdo ditë sulme sistematike dhe nuk keni dëgjuar më asgjë, ndodhi diçka me një institucion të pushtetit vendor që ishte jashtë sistemit të mbrojtjes. S’mund ta lejojmë këtë gjë. Nesër mund të sulmojnë një bankë, një spital privat, një strukturë private të shpërndarjes së ushqimeve dhe mund të bëjnë problem shumë të madh. Jemi duke menduar si të ndërtojmë një sistem ku nga një anë t’i vendosim një detyrim të gjitha institucioneve në nivelin vendor, apo në sektorin privat që të kenë një përqindje investimi në teknologji. Me sektorin privat të shohim mundësinë që investimi në teknologji të jetë i zbritshëm nga taksat”, tha Rama.
Më herët kreu i qeverisë tha se Shqipëria ka avancuar në shërbimet digjitale, por sektori privat kërkon ende shumë punë. Përfaqësuesve të sektorit të teknologjisë u kërkoi partneritet dhe diskutime intensive, qoftë për propozime apo financime.