Një nga djemtë e bashkëthemeluesit të kartelit famëkeq të Sinaloas, El Chapo-s, ka pranuar fajësinë lidhur me akuzat për trafik droge këtë të premte, para gjykatës në SHBA.
Financial Times shkruan se Ovidio Guzman, djali i Joaquin “El Chapo” Guzman, ka pranuar në një gjykatë në Çikago se është fajtor për katër akuza, duke përfshirë shpërndarjen e drogës dhe pjesëmarrjen në një sipërmarrje të vazhdueshme kriminale. Ai ishte përballur me burgim të përjetshëm, por se sa do të marrë në të vërtetë nga dënimi do të varet nga bashkëpunimi i tij me autoritetet federale.
Ovidio Guzman është një nga katër djemtë e El Chapo-s, të njohur kolektivisht si “Los Chapitos”, të cilët udhëhoqën një fraksion të rëndësishëm të kartelit. Ata drejtuan kalimin e gjeneratës së re të grupit drejt opioidëve sintetikë, duke u larguar nga drogat me bazë bimore si kokaina dhe kanabisi.