Ervin Salianji, ish-deputeti i Partisë Demokratike ka folur për mediat pas paraqitjes së tij në “Shërbimin e Provës”, në kuadër të lirimit të tij me kusht, ku ka zbuluar hapat që do të ndërmarr për dënimin e tij me një vit burg, nga i cili kreu vetëm 9 muaj.
Ai është shprehur se është në pritje të zbardhjen e vendimit të Gjykatës së lartë, për të vazhduar në Gjykatë Kushtetuese.
Sipas tij nëse Kushtetuesja nuk i jep zgjidhje, do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.
“Pres zbardhjen e vendimit të Gjykatës së lartë për të vazhduar në Gjykatë Kushtetuese dhe nëse nuk do ketë aty zgjidhje, mezi pres përballjen me regjimin në Gjykatën e Strasburgut”, tha ai.
Sa i përket paraqitjes së tij në “Shërbimin e Provës”, Salianji tha se do të paraqitet edhe një herë tjetër brenda këtij muaji.
“Jemi në kushtet e një regjimi, ku dënimi im politik dhe çdo ditë qëndrimi në burg konfirmon që për interesa politike dhe për çdo interes tjetër që bie ndesh me ato të vullnetit personal të Edi Ramës për të mbajtur pushtetin me çdo formë, përdoren të gjitha institucionet dhe instrumentet ekstra politike për të krijuar klimë terrori.
Do të jem përsëri edhe një herë tjetër brenda këtij muaji, pastaj në vijim ndërtohet një program për shërbimin e provës. Përderisa është krijuar ky institucion dhe ndeke zbatimin vendimit të Gjykatës, jam në respekt të vendimit.
Pres zbardhjen e vendimit të Gjykatës së lartë për të vazhduar në Gjykatë Kushtetuese dhe nëse nuk do ketë aty zgjidhje, mezi pres përballjen me regjimin në Gjykatën e Strasburgut”, u shpreh Salianji.