Pas aksioneve në rrethe, edhe kryeqyteti i është nënshtruar lirimit të hapësirave publike.
Ndryshe nga Thethi, bizneset në Tiranë, kanë zgjedhur që të çmontojnë vetë e strukturave metalike, të cilat kanë ‘zaptuar’ hapësirat publike në kryeqytet. Një gjë e tillë vjen për shkak të investimeve të bëra nga biznesmenet për këto struktura, përgjatë gjithë këtyre viteve.
Pavarësisht aksioneve të marra nga vetë biznesmenët, task forcat e IKMT-së, ndodhen aty për të gjithë ata që nuk pranojnë të lirojnë vetë hapësirat publike.
Në denoncimet e para të kryeministrit, Edi Rama, për lirimin e hapësirave publike, biznesmenët nuk e pritën dhe aq mirë ‘ultimatumin’ e lirimit të hapësirave publike, kjo për shkak të investimeve të shumta që ata kanë bërë në këto zgjerime. Por, me kalimin e ditëve, duket se tashmë ka një bashkëpunim të tyre me forcat përkatëse për vënien në funksionin normal të hapësirave publike, siç mund të jetë trotuari i plotë për ecjen e lirshme të qytetarëve, rikthimi i lulishteve, etj.
“Ditët e para nuk është pritur mirë nga bizneset një gjë e tillë, pasi siç e theksoj, pasi të gjitha bizneset kanë bërë investime të konsiderueshme, në zgjerimin e hapësirave të tyre, edhe pse një pjesë e madhe e tyre, siç ka deklaruar policia, ishin pa leje, pasi kanë pasur leje për shfrytëzimin vetëm te godinës së bar-kafesë, po themi në këtë rast, e ata kanë zgjeruar më tej me tenda, deri në trotuar, që shpesh herë kanë qenë problem për qarkullimin e qytetarëve. Siç duket, ditët e fundit, kanë vendosur që të bashkëpunojnë, e t’i çmontojnë vetë këto tenda, zgjerime, të këtyre hapësirave”, raporton gazetari Maksi Rama.
Sakaq, gjithë këto aksione, duket se janë pritur mirë nga qytetarët, të cilëve u ka munguar hapësira e tyre prej kohësh.
Ndërkohë, në Theth, vijon aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje. Në këtë zonë, ndryshe nga rrethet e tjera, ka pasur përplasje mes banorëve, biznesmenëve me policinë, pasi nuk pranojnë shembjen e strukturave të ngritura për efekt turizmi. Pronarët dhe banorët argumentojnë se nuk ka pasur beton tek strukturat, për të pasuar në shembjen e tyre. /tvklan.al