Peticioni kundër ndërtimit të dy urave mbi lumin Ibër – për të cilat gur themeli u vendos në fillim të korrikut në prani të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti – është nënshkruar nga 3.628 qytetarë, njoftoi të mërkurën Lista Serbe.
Sipas Qeverisë së Kosovës, ndërtimi i këtyre urave ka për qëllim t’i lidhë Mitrovicën e Veriut – me shumicë serbe – me Mitrovicën e Jugut, ku jeton shumica shqiptare.
Për ndërtimin e dy urave – një për këmbësorë dhe tjetri për komunikacion – Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth tre milionë euro, ndërsa përfundimi i punimeve pritet në vjeshtë.
Megjithatë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, nisi të hënën nënshkrimin e peticionit, dhe të mërkurën njoftoi se nënshkrimet janë mbledhur “për 11 orë” dhe se peticioni është “përfunduar me sukses”.
“Kjo shifër e nënshkrimeve për një kohë kaq të shkurtër paraqet një sinjal të fuqishëm dhe të qartë – populli është kundër imponimit dhe politikës së forcës”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.
Nuk dihet saktësisht numri i banorëve të Mitrovicës së Veriut – aty ku janë mbledhur nënshkrimet – pasi pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës kryesisht e kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë në vitin 2024.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka vlerësuar se në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – jetojnë rreth 20.000 serbë.
Lista Serbe ka njoftuar se në ditët në vijim do ta dorëzojë peticionin te përfaqësuesit e vendeve të Quint-it, misionit të KFOR-it, EULEX-it, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe UNMIK-ut, duke kërkuar prej tyre një reagim “të menjëhershëm dhe të qartë”, ndërprerjen e ndërtimit të urave pa konsultim me popullin serb dhe respektimin e parimeve bazë demokratike dhe të së drejtës ndërkombëtare.
“Populli serb nuk është kundër zhvillimit dhe infrastrukturës, por është kundër vendimeve që merren pa të dhe kundër një politike që ka për synim zhdukjen e tij nga këto hapësira”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Bashkimi Evropian ka deklaruar se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike dhe politike”, dhe se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.
“Është e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”, është thënë në përgjigje.
Ndryshe, urat e reja po ndërtohen pranë urës kryesore mbi Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Kjo urë është e njohur për përplasjet etnike pas luftës dhe për këtë arsye është nën mbikëqyrjen e forcave të KFOR-it.
Aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për komunikacion në korrik të vitit të kaluar – gjë që pati shkaktuar tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.
Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord që ura të hapej për qarkullim në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve. Ishte paraparë revitalizimi i urës dhe largimi i të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.
Në vitin 2016 u dakordua një plan i ri zbatimi, për të tejkaluar mosmarrëveshjet rreth interpretimeve të marrëveshjeve të mëparshme. Sipas këtij plani, ura duhej të hapej për komunikacion në janar të vitit 2017.
Punimet për revitalizim përfunduan në qershor të vitit 2018, ndërsa ura – në të cilën janë investuar 1.5 milionë euro – nuk është hapur kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë./rel