Në konferencën për mediat, kreu i PD Sali Berisha e ka quajtur sërish sot dënimin e ish-deputetit Ervin Salianji si vendim politik, në kundërshtim të Kushtetutën dhe praktikën ligjore.
Pas pyetjes së bërë nga gazetarët në lidhje me postin që Salianji do të mbajë në PD pas lirimit, Berisha u përgjigj se për gjithçka do të vendosë kryesia e kësaj partie. Kryedemokrati gjatë fjalës së tij deklaroi se ka një komunikim të vazhdueshëm me ish-deputetin dhe se çështja e tij nuk është mbyllur me lirimin, përkundrazi sapo ka nisur.
“Kam komunikim të vazhdueshëm me të, tani do të vijë ta takoj. Salianji është nënkryetar i grupit parlamentar të PD, anëtar i Kryesisë. Cilat do të jenë funksionet e ardhshme do të përcaktohet nga anëtarësia. Salianji doli dje, një i burgosur politik, një histori turp i dyshes mafioze Rama dhe Xhafa.
Ai u dënua një vit burg në kundërshtim me Kushtetutën dhe çdo praktikë ligjore të ndjekur në 32 vite. Deputetët më parë gjykoheshin nga Gjykata e Lartë. Pas ndryshimeve gjykohen nga GJKKO. Çështja Salianji nuk u mbyll, sapo ka nisur. Salianji e përballoi gjithçka me dinjitet”, tha ai.