Policia e Shtetit fton maturantët të aplikojnë për studimet “Bachelor” në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë.
“Në kuadër të nismave për të afruar të rinjtë në radhët e saj dhe për të forcuar brezin e ri të profesionistëve të sigurisë, Policia e Shtetit fton maturantët të aplikojnë për programin e studimit “Bachelor” në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë”.
Sipas policisë për vitin akademik 2025–2026 janë vënë në dispozicion 150 kuota, me një rritje prej 50 kuotash krahasuar me vitin e kaluar, për të përmbushur kërkesat dhe nevojat në rritje të strukturave të Policisë.
“Ky është një shans i mirë për maturantët që duan të ndërtojnë një karrierë në një institucion elitë, tashmë të akredituar sipas standardeve ndërkombëtare, në fushat e sigurisë, hetimit dhe rendit publik.
Të rinjtë që zgjedhin këtë program, nuk zgjedhin thjesht një fakultet, por një mision jetësor në shërbim të vendit dhe qytetarëve.
Policia e Shtetit ka nevojë për fytyra të reja, energji të reja dhe një imazh bashkëkohor që reflekton besim, përkushtim dhe profesionalizëm”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë së Shtetit aplikimet bëhen online, nëpërmjet portalit U-Albania, duke zgjedhur programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”, gjatë periudhës 29 korrik – 3 gusht 2025.
Lista e dokumenteve të nevojshme dhe të gjitha informacionet mbi procedurën e aplikimit janë të disponueshme në këtë link

















