Ministri i Financave Petrit Malaj dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko kanë folur sot në një konferencë për media lidhur me sektorin e bujqësisë në vend.
Gjatë fjalës së tij, Sejko bëri apel për një qasje të re ndaj kreditimit të këtij sektori, që sipas tij ka potencial të lartë.
“Ky sektor siguron rreth 20% të PBB-së së vendit dhe ofron punësim për rreth 1/3 e popullsisë, ndërkohë që përfiton më pak se 2% të kredisë totale”, tha Sejko.
Ndërkohë ministri njoftoi se për herë të parë këtij sektori do t’i vihet në dispozicion një fond me vlerë 30 milion euro.
“Potenciali në këtë sektor ekziston, sikundër edhe vullneti. Sëbashku duhet të nxisim rritjen e aksesit në financë. Vitet e fundit, qeveria shqiptare përmes katër garancive sovrane, ka mbështetur sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Ne do miratojmë një skemë të re garancie sovrane që për herë të parë do mbështesë sektorin e bujqësisë me një fond prej 30 milion eurosh”, deklaroi Malaj.
Po ashtu ai theksoi se do të garantohet deri në 70% e kredisë për fermerët dhe fondet do shkojnë posaçërisht për agropërpunim, agroturizëm, peshkim apo për sera moderne.