Kabinat pa leje në Theth, që janë bërë objekt debati mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Shkodrës, janë në pronësi të Prek Kodrës.
Prek Kodra është i njëjti person që në vitin 2021 në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, kishte planifikuar për të vrarë me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe 2 politikanë të tjerë të njohur të Kosovës.
Ai është shpallur në kërkim edhe nga SPAK në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, në akuzë për disa ngjarje kriminale.
Prokuroria e Shkodrës duke iu përgjigjur kryeministrit Rama tha se “Faktet e policisë nuk mjaftonin për ndjekje penale”.
Organi i akuzës theksoi në reagimin e saj se vendimi i prokurores Elsa Gjeli nuk është “akt vullneti personal, por akt ligjor”.
Po ashtu, thekson se shqetësimet e tilla duhet të adresohen nëpërmjet rrugëve ligjore dhe jo përmes mesazheve politike.
Nga ana tjetër, Rama ka paralajmëruar denoncim në KLP për atë që e quan si skandali “Gjeli”./tvklan