Ndriçim Sinani, Shef i Emergjencave Civile në Elbasan, deklaroi se vijon puna për neutralizimin e situatës në landfillin e këtij qyteti.
Theksoi se nuk ka zjarr aktiv, por vetëm sasi të madhe tymi.
“Prej ditës së djeshme, kemi qenë duke punuar non-stop që prej orës 16:00, për mbulimin me dhe të zonave të zjarrit dhe për mbylljen totale të këtij fenomeni në landfill. Janë mbi 20 mjete të rënda në punë dhe forcat zjarrfikëse nga të gjitha bashkitë e qarkut Elbasan, nga Ministria e Mbrojtjes, bashkia Kamzë apo Berat”, tha Sinani.
Sipas tij, parashikohet që deri në mbrëmje, pjesa dërrmuese e mbulimit të vatrave me dhe, të ketë përfunduar. Por pasditja sjell acarim të situatës, për shkak të erës. I pyetur se a ka rrezik për forcat zjarrfikëse, u shpreh se janë marrë masat dhe nuk ka pasur ndonjë problematikë. “Temperaturat e larta kanë ndikuar në avancimin e zjarrit, por po punohet pa ndërprerje”, përfundoi Sinani. /tvklan.al