Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në kuadër të ceremonisë për 25-vjetorin e themelimit të Avokatit të Popullit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të qytetarëve.
“Një bashkëpunim i bazuar në respekt të ndërsjellë dhe me përkushtim ndaj qytetarëve. Të nderuar pjesëmarrës, të nderuar miq, personalisht këtë konferencë e konsideroj më shumë se sa një tryezë diskutimi, e shoh si një mundësi të shkëlqyer për të bërë një thirrje të fortë për një angazhim të përbashkët, për një shoqëri ku të drejtat e njeriut nuk janë teori, por duhet të jenë praktikë jetësore, praktikë njerëzore, për institucionet që nuk janë burokratike, por të ndjeshme, për një shtet që nuk është i pakontrollueshëm, por i matur dhe i përgjegjshëm, dhe për një drejtësi që nuk është privilegj i të fortëve, por akses i barabartë për të gjithë,” tha Manja.
Ai vuri theksin tek roli kyç i Avokatit të Popullit si institucion mbrojtës i të drejtave të qytetarëve dhe nxitës i përgjegjshmërisë institucionale në Shqipëri.