Tensionet në Lindjen e Mesme duket se janë në kulmin e tyre, ndërsa rajoni po përfshihet nga një valë e re përplasjesh të rrezikshme, që mund të rrezikojnë stabilitetin global. Konflikti mes Iranit dhe Izraelit ka hyrë në një fazë të re, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë që Irani është zotuar për një hakmarrje të ashpër ndaj sulmeve të fundit ndaj objekteve të tij bërthamore, bota ndjek me ankth zhvillimet në një nga zonat më të nxehta dhe më të paqëndrueshme të globit.
Në këtë klimë alarmante, emisioni “Opinion” në Tv Klan sjell ekskluzivisht dy video që vijnë në kohë reale nga ajo se çfarë po ndodh në vatrën më të nxehtë të globit, Lindjen e Mesme.
Në njërën prej videove, që gazetari Blendi Fevziu tregon, shihen dronët dhe raketat në qiellin e Katarit dhe të Bahrain. Ndërkohë në videon tjetër, tregohen pamjet e qytetarëve në Katar që vrapojnë të alarmuar.
“Disa raketa balistike dhe dronë janë nisur këtë të hënë, 23 qershor, nga Irani në drejtim të Katarit dhe Bahrain. Ne kemi dy video që vijnë live nga Doah dhe nga Bahrain, ku tregohen pamjet e dronëve dhe raketave në qiellin e Katarin e Bahrain-it. Është duke goditur bazat amerikane. Gjithashtu në videon tjetër tregohet se si vrapojnë njerëzit në qendrat tregtare të Katarit. Njëkohësisht ka një zonë të lirë fluturimi, pra nuk po fluturohet me fluturime konverciale në zonën rreth e rrotull. Deri tani kompanitë evropiane kanë anuluar fluturimet drejt Iranit, drejt zonës së Gjirit Persik”, tha Blendi Fevziu.
Kujtojmë se Shtete e Bashkuara të Amerikës tashmë janë përfshirë zyrtarisht në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit. Avionët amerikanë B2, që janë avionët më të sofistikuar të globit sot me një vlerë gati dy miliardë euro secili prej tyre, kryen mëngjesin e së dielën, më 22 qershor, një fluturim prej 33 orësh për të bombarduar tre prej impianteve nukleare ku mendohej se mund të ketë përpunim dhe përgatitje të armëve bërthamore në brendësi të territorit të Iranit.
Ishte vetë Presidenti Donald Trump që bëri publik lajmin, duke e cilësuar si një operacion të suksesshëm me sulme të përqëndruara dhe tepër të sakta. Menjëherë erdhi një reagim nga Irani, i cili deklaroi se nuk do e linte me kaq dhe se “loja nuk kishte përfunduar”./ tvklan.al