Policia e Kavajës ka vijuar kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.
Mësohet se është liruar një hapësirë në plazhin e Golemit, që ishte zënë në mënyrë të paligjshme.
Umiformat blu kanë proceduar penalisht 3 shtetas dhe kanë sekuestruar 100 komplete me çadra dhe shezlongë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Gjatë kontrolleve, në një hapësirë publike në plazhin e Golemit, u hoqën dhe u sekuestruan 100 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 3 shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. O., 37 vjeç, T. O., 72 vjeç dhe B. A., 41 vjeç, banues në Kavajë dhe në Golem”, njofton policia.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror./Opinion.al