Do të diskutohen sot në Bruksel nga ana e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme.
Në fokus do të jetë shqetësimi ndërkombëtar i cili po rritet pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore në Iran. Siç raportojnë mediat ndërkombëtare një nga temat kryesore të mbledhjes do të jetë se si BE-ja mund të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe rikthimin në tryezën e negociatave.
Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, u bëri thirrje të dielën të gjitha palëve “të bëjnë një hap pas, të rikthehen në tryezën e negociatave dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm”.
Në axhendën e ministrave të Jashtëm është edhe diskutimi mbi një raport të shërbimit diplomatik të BE-së, Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, i cili vë në pikëpyetje përputhshmërinë e veprimeve të Izraelit në Rripin e Gazës me parimet e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael.
Raporti, i publikuar të premten, përfundon se “ka shenja se Izraeli po shkel detyrimet e tij në lidhje me të drejtat e njeriut, bazuar në nenin 2 të Marrëveshjes së Asociimit”.
“Masat kufizuese të vazhdueshme që Izraeli vendos për furnizimin me ushqime, barna, pajisje mjekësore dhe ndihma të tjera jetike po ndikojnë në të gjithë popullsinë e Gazës,” thuhet në raport.