Mëngjesin e të dielës është rikthyer uji në shumë zona të Durrësit pas riparimit të transformatorit në nënstacionin elektrik të Fushë-Kuqes.
Gjatë paradites, Ujësjellësi i Durrësit informoi se furnizimi me ujë është rikthyer. Por pushues të ndryshëm në Gjirin e Lalëzit apo edhe banorë të kësaj zone informuan Klan News se deri në orët e drekës nuk ka pasur ujë.
Ujësjellësi deklaroi: Uji është rikthyer në mëngjes. Aktualisht janë mbushur depozitat shpërndarëse në varësi të ujësjellësit dhe menjëherë pas kësaj ka nisur shpërndarja në rrjet, përfshirë edhe Gjirin e Lalzit dhe gjithë qytetin. Ky proces zgjat rreth 3 orë dhe më pas do të rikthehet normaliteti.
Mungesa e energjisë solli probleme të mëdha në furnizimin me ujë në shumë zona të bregdetit të Durrësit. Kjo situatë ndodhi në një kohë kur uji është mjeti më jetik në sezonin turistik, për ofrimin e shërbimeve më të domosdoshme nga bizneset.
Pak ditë më parë të njëjtin shqetësim ngritën edhe qytetarët dhe bizneset në Vlorë. Mungesa e ujit në qytetet bregdetare gjatë këtij sezoni me frekuentues të shumtë, jo vetëm mund të ndikojë negativisht në imazhin e vendit, por mund të sjellë pasoja afatgjata në numrin e turistëve të huaj që do të zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipëri. Klan News