Mbledhja dy ditore e Komitetit të Stabilizim-Asocimit mes Parlamentit Europian dhe Shqipërisë e mbajtur në Strasburg është mbyll me apelin për dialog mes partive politike, për të realizuar reformat e integrimit.
“Në dialektikën e fortë që karakterizon marrëdhënien mes të dyja forcave politike shqiptare ka një element që i bashkon, qëllimi për integrimin e shpejtë të vendit në BE. Në vitin 2027 presim mbylljen e negociatave dhe më pas do të duhen edhe dy vite për anëtarësimin e plotë. Prandaj kemi një përgjegjësi të përbashkët për ta arritur këtë objektiv”, tha eurodeputeti, Macro Tarquinio.
Në emër të opozitës deputetja Tabaku ka këmbëngulur në zbatimin e rekomandimeve të Bashkimit Europian për të pasur jo vetëm reforma në letër, por të pajtueshme në të mirë të qytetarëve shqiptarë.
“Lufta për Shqipërinë europianë kalon nga grup-kapitulli i parë, ku zgjedhjet, demokracia, zbatimi i ligjit dhe lufta ndaj korrupsionit janë çështje kryesore. Këtë angazhim të sotmin këtu do të vazhdojmë ta çojmë përpara sigurisht në Tiranë. Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar akoma, me një proces të gjatë ankimimi tregoi që ne kemi shumë punë përpara, jo vetëm për zgjedhjet, por dhe për standardet e demokracisë”, tha Jorida Tabaku.
Kreu i Komitetit Parlamentar për reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj ka ftuar Partinë Demokratike që të bëhet pjesë e këtij komisioni.
“Bashkërisht të ulemi, të punojmë për të reflektuar për rekomandimet e Bashkimit Europian dhe në asistencën dhe monitorimin e tyre të adresojmë masat dhe rekomandimet përkatëse, për konsolidimin e reformës në drejtësi në standardet më të mira europiane dhe në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha Xhafaj.
Edhe në këtë mbledhje nuk munguan qëndrimet e ndryshme mes deputetëve të pozitës dhe të opozitës.
“Dua t’u siguroj që besimi që ne kemi në ato institucione që i kemi ndërtuar së bashku me Parlamentin Europian me shumë mund, në 30 vitet e fundit, por sidomos në 10 vitet e fundit me reformën madhore në drejtësi, unë mendoj se duhet të mbetet e paprekur”, tha Toni Gogu.
“Në të ashtuquajturën ligji i investimeve strategjike, kanë përfituar status në mungesë edhe të proceduarave të konkurrencës dhe të transparencës publike. Personat e veshur me pushtet politik, si në rastin e bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, zonjës Xhaçka. Apo skemat e pastrimit të parave nga krimi i organizuar nëpërmjet individësh prestanome dhe pa historik të kapitalit financiar të justifikueshëm”, tha Ina Zhupa.
“Qeveria përmes prokurorit ka mbajtur nën presion zotin Berisha, udhëheqësin e opozitës. Meta është në burg, kryetari i Bashkisë së Tiranës është arrestuar po ashtu. Sundimi i së drejtës është në krizë. Drejtësia nuk mund të jetë privilegj i disa personave, por duhet të jetë në duart e të gjithëve. Drejtësia është përdhosur në zgjedhjet e fundit”, tha Fredi Beleri.
Edhe në këtë mbledhje nuk u arrit miratimi i një rezolute të përbashkët mes përfaqësuesve të PS-së dhe atyre të PD-së, pavarësisht ndërmjetësimit të eurodepurtetëve. Mbledhja e jashtme e Komitetit të Stabilizim-Asocimit dhe Bashkimit Europian do të zhvillohet në Tiranë në fund të muajit tetor. Klan News