Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në burg. Ky ka qenë vendimi i Gjykatë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila la në fuqi “masën e sigurisë “arrest me burg” për Veliajn, në kuadër të hetimeve për korrupsion.
Po ashtu, gjykata ka konfirmuar masën “arrest shtëpie” për Elman Abulen, i cili është përfshirë në të njëjtën çështje hetimore.
Avokatët mbrojtës kërkuan ndryshimin e masave të sigurisë, duke propozuar zëvendësimin me masa më të buta dhe ofruan garanci pasurore. Megjithatë, GJKKO vendosi të mos pranojë kërkesat.
Si argument të ri në seancë, Prokuroria paraqiti faktin se apartamenti që ndodhet mbi banesën e Veliajt zotërohet në mënyrë të tërthortë nga çifti Xoxa–Veliaj, duke ngritur dyshime për pasuri të padeklaruara apo të fshehura. Ky fakt u konsiderua si element shtesë që forcon dyshimet për implikim në veprimtari të paligjshme.