Mbahet në Tiranë Ministeriali i Evropës Juglindore. Në fjalën e tij hapëse, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv rajonal, jo vetëm kombëtar.
“Përshpejtimi i integrimit ekonomik dhe hapave drejt Bashkimit Evropian janë prioritet. Bashkëpunimi ynë tanimë është më kuptimplotë dhe më harmonik me politikat e BE-së. Jemi veçanërisht krenarë për marrëveshjen rajonale roaming, korsitë e gjelbra dhe pesë marrëveshjet e lëvizshmërisë në kuadër të Procesit të Berlinit. Këto e bëjnë rajonin më tërheqës dhe më stabël.
Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në rrugëtimin e vet transformues dhe besojmë që zgjerimi i BE-së nuk është vetëm politik, por strategjik për paqen. Suksesi i fqinjëve tanë është suksesi ynë! Ky është qëllim rajonal.”
Ministeriali SEECP përfshin 13 vende pjesëmarrëse: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë, Kosovën dhe Turqinë. Si platformë e iniciuar nga vetë vendet e rajonit, SEECP mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit, zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe përgatitjen për integrim të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike.