Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka kërkuar Iranit që të ndërpresë “menjëherë” sulmet ndaj objektivave civile në Izrael.
Në të njëjtën kohë, ai riafirmoi qëndrimin e Gjermanisë se Republika Islamike “nuk duhet të zhvillojë ose të zotërojë armë bërthamore”.
“Do të ishte një kërcënim për Izraelin, Lindjen e Mesme dhe bashkësinë ndërkombëtare në tërësi”, deklaroi kancelari në Berlin para se të nisej për në samitin e G7-ës në Kanada. Krerët e shteteve dhe qeverive të Grupit të shtatë kombeve kryesore demokratike të industrializuara do të takohen atje.
Izraeli ka të drejtë të “mbrojë ekzistencën dhe sigurinë e qytetarëve të tij”, theksoi Merzi.
“Kjo çështje do të jetë shumë lart në agjendën e samitit të G7-ës”.
Kancelari theksoi se konflikti nuk duhet të përhapet: “Shtetet e tjera në rajon nuk duhet të bëhen shesh beteje.”
Prandaj, tani duhet të kërkohet një zgjidhje me anë të mjeteve diplomatike. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul është në kontakt të ngushtë me homologët në rajon për ta arritur këtë.
Vetë Merzi telefonoi Sulltanin e Omanit, duke e falënderuar për përpjekjet e tij të ndërmjetësimit për t’i dhënë fund programit bërthamor.
Më tej, kancelari bëri të ditur: “Në Gjermani, ne po përgatitemi gjithashtu në rast se Irani vendos të sulmojë objektiva izraelite ose hebraike në vendin tonë.”
Izraeli planifikon të “ndryshojë realitetin në Lindjen e Mesme”
Lufta kundër Iranit dhe programit të tij bërthamor nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e vendit, theksoi Presidenti izraelit Yitzhak Herzog.
“Qëllimi ynë është të ndryshojmë realitetin në Lindjen e Mesme”, tha ai gjatë një vizite në qytetin Bat Yam, në Izraelin qendror. Atje u vranë disa vetë në sulmet me raketa iraniane gjatë natës.
”Nuk mund të ndodhë që Perandoria e së Keqes të vazhdojë të lëshojë raketa dhe të zhvillojë aftësi bërthamore, të cilat përfaqësojnë kërcënimin më të rrezikshëm për njerëzimin”, theksoi Herzogu.
Prandaj, Izraeli nuk po mbron vetëm veten, “por edhe Lindjen e Mesme, vetë njerëzimin dhe paqen botërore”, sipas presidentit izraelit. Ai u bëri thirrje krerëve të shteteve dhe qeverive të G7 të qëndrojnë pranë Izraelit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi në Bat Yam gjithashtu hakmarrje. “Irani do të paguajë një çmim të lartë për vrasjen e qëllimshme të civilëve, grave dhe fëmijëve”, deklaroi Netanyahu.
“Mendoni se çfarë do të ndodhte nëse Irani do të kishte armë bërthamore që mund të aktivizonte kundër qyteteve izraelite”, shtoi kryeministri izraelit.
Raporte për shumë të vdekur dhe qindra të plagosur
Që nga nata e së premtes, Izraeli ka sulmuar objektiva të shumta në Iran, duke përfshirë objekte bërthamore dhe ushtarake. Republika Islamike u përgjigj me kundërsulme. Sipas raporteve të medias, të paktën 138 persona janë vrarë në Iran që nga e premtja, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.
Qindra njerëz thuhet se janë plagosur. Sipas shifrave zyrtare, të paktën 13 persona janë vrarë dhe rreth 400 të tjerë janë plagosur në Izrael që nga fillimi i sulmeve.
Presidenti iranian Masoud Peseshkian paralajmëroi se përgjigjja e vendit të tij ndaj sulmeve do të ishte “më e vendosur dhe e ashpër” nëse “veprimet armiqësore” të Izraelit do të vazhdonin. Deri tani, ushtria iraniane është përgjigjur “me vendosmëri dhe në mënyrë të përshtatshme”.
Radioja iraniane raportoi shpërthime të dielën pranë Aeroportit Mehrabad të Teheranit dhe në veri të kryeqytetit. Ushtria izraelite njoftoi se më shumë se 80 objektiva në Teheran ishin sulmuar gjatë natës së së shtunës deri të dielën.
Alarmet për sulme ajrore u aktivizuan përsëri të dielën në Jerusalem, Tel Aviv dhe gjetkë. Hapësira ajrore izraelite mbetet e mbyllur “për arsye sigurie”. Nuk ka ngritje ose ulje avionësh në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion./DW