Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në një fazë kritike, pasi gjatë natës Izraeli ka ndërmarrë një fushatë të gjerë sulmesh ajrore mbi territorin iranian, në kuadër të operacionit të koduar “Luanin që Ngrihet”.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite konfirmoi se më shumë se 200 aeroplanë luftarakë kanë marrë pjesë në këtë ofensivë, duke goditur mbi 100 objektiva strategjikë në Iran, përfshirë objekte bërthamore, baza ushtarake dhe godina të lidhura me Gardën Revolucionare Iraniane.
Në përgjigje të këtij sulmi, Irani ka lëshuar më shumë se 100 dronë drejt Izraelit, në atë që përshkruhet si një kundërsulm i drejtpërdrejtë. Sirena ajrore kanë rënë në disa qytete izraelite, ndërsa autoritetet paralajmëruan qytetarët për të qëndruar të strehuar.
Sipas burimeve të Sky News dhe Reuters, zëdhënësi i ushtrisë izraelite deklaroi se vendi do përballet me “disa orë të vështira përpara”.
Udhëheqësi suprem i Iranit reagoi menjëherë pas sulmit, duke paralajmëruar se “regjimi sionist duhet të presë një ndëshkim të ashpër” dhe se “i ka sjellë vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm”.