Prokurori i SPAK, Vladimir Mara ka dhënë detaje mbi operacionin e zhvilluar nga SPAK dhe Prokuroria e Barit.
Në një konferencë për mediat me kryeprokurorin e Barit, Drejtorin e Antimafies italiane dhe zyrtarë të tjerë të policisë nga të dyja vendet, Mara tha se ana e autoriteteve italiane janë administruar të dhënat të platforës Sky ECC, që kanë paraqitur para hetimit një panoramë të qartë të organizimit të gjithë këtij grupi kriminal.
“Është realizuar sekuestrimi në disa episode të lëndëve narkotike në shtetin italian. Nga ana e autoriteteve italiane janë administruar të dhënat të platforës Sky ECC, çka kanë paraqitur para hetimit një panoramë të qartë të organizimit të gjithë këtij grupi kriminal.
Nga analizimi i këtyre të dhënave kemi arritur të dokumentojmë gjithë shtrirjen e aktivitetit kriminal që fillonte në Shqipëri, në Puglia dhe më pas në gjithë territorin italian dhe më pas në vende të tjera të BE, si Gjermani, Belgjikë e Hollandë dhe në Amerikën e Jugut”, tha Mara.
Sipas Marës, janë lëshuar në total 52 urdhërarreste në Shqipëri dhe Itali, nga të cilat janë ekzekutuar 40.
“Janë sekuestruar 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në qytetin e Vlorës”, tha Mara. “Gjatë këtij hetimi më parë janë sekuestruar 3 milionë euro, para cash, si të ardhura të këtij grupi kriminal, të cilat i janë nënshtruar hetimit të këtij procedimi penal”, shprehet Mara.