Drejtuesja e PS-së për qarkun Tiranë Ogerta Manastirliu foli këtë mbrëmje për “Opinion”. Ajo u shpreh mjaft optimiste për rezultatet përfundimtare duke theksuar se Partia Socialiste tanimë ka një përgjegjësi më shumë ndaj qytetarëve.
“Jemi të fokusuar te procesi i numërimit. Janë 4 njësi administrative që janë në përfundimn e sipër. Me procesin që po ecën që është vërtet me standard të larta, mendojmë që do përfundojmë nesër paradite.”
Kur pritet të kemi një formë më të qartë të Parlamentit të ardhshëm?
“Një proces që kërkon kohën e tij, 48 ose 72 orë mund të na duhet. Do përpiqemi të ecim shpejt, është duke u bërë një punë dhe unë dua të falenderoj komisionerët që janë në qendrat e votimit. Mund të përfundojë edhe më herët, sepse varet nga shpejtësia e procesit.”
Manastirliu tha po ashtu se Samiti i liderëve europianë në Tiranë nuk ndikon aspak në gjithë këtë proces.
“S’ka asnjë arsye të ndërpritet asnjë proces, Samiti është paralel.”
Bazuar në projeksionet, theksoi se ambicia është marrja e 20 mandateve në kryeqytet.
“Nuk ka përfunduar ende procesi, në Tiranë synojmë me pritshmëritë duke evidentuar edhe mbështetjen në të gjitha njësitë, do shkojmë drejt 20 mandateve. Në bazë të rezultateve dhe trendit që po shohim në projeksionet në të gjitha njësitë, duke përfshirë edhe trendin në votat e diasporës.”
Si i komenton akuzat e PD-së?
“Kam fakte, është proces i realizuar me standarde ku të gjithë kanë realizuar detyrat e tyre bazuar në Kod Zgjedhor. Nuk është hera e parë që i dëgjojmë, janë pjesë e alibisë së humbjes së radhës. Ne do vijojmë me punët për Shqipërinë europiane dhe reformat. Ne do jemi akoma më fort në pozita pune për të realizuar zotimet. Punë skuadre dhe mbi të gjitha besimi i qytetarëve, ata besojnë te projekti ambicioz për Shqipërinë europiane, për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenia e familjeve. Kjo ka bërë të mundur maksimizimin e votës që për PS-në është një përgjegjësi akoma më shumë.”