Procesi i numërimit tek KZAZ 31 që është në ambientet e shkollës “1 Maji” në Tiranë është ndërprerë. Sipas asaj që raporton gazetarja Erikleda Dorezi, shkak është bërë tërheqja e anëtarëve të PD. Ndërkohë në një intervistë për Klan News, zv.kryetari i KZAZ-së Kelvin Shkrela tregon arsyet e tërheqjes së anëtarëve të Partisë Demokratike.
Erikleda Dorezi: Përse aktualisht po numërohen vetëm katër grupe?
Kelvin Shkrela: Na janë larguar numëruesit e PD-së, po procedojmë me katër grupe. Na ka ardhur një njoftim nga KQZ që sipas kodit zgjedhor do duhet ta mbyllim numërimin e votës së subjektit politik brenda orës 22:00. Në këto kushte do të detyrohemi të punojmë edhe me dy persona, që të arrijmë objektivin e KQZ.
Erikleda Dorezi: Çfarë pretendimi kanë paraqitur përfaqësuesit e opozitës për largimin e tyre?
Kelvin Shkrela: Nuk janë shprehur. Kanë shprehur lodhje, kanë kërkuar zëvendësim dhe nuk ju kanë ardhur në ndihmë të tjerë.
Erikleda Dorezi: Ju jeni të vendosur për të vijuar me tetë grupe numërimi?
Kelvin Shkrela: Ne presim një vendim edhe nga inspektori që na mbulon në KQZ dhe atëherë do të fillojmë edhe me tetë grupe, nga dy persona.
Erikleda Dorezi: Ka pasur ndërprerje të procesit të numërimit?
Kelvin Shkrela: Ndërprerje nuk ka pasur, por kemi qenë me numër të reduktuar.
Erikleda Dorezi: Këtu janë 105 qendra votimi. Aktualisht sa janë numëruar?
Kelvin Shkrela: Janë numëruar 17 qendra dhe 4 janë në proces.
Ndërkohë sa i përket orarit kur mund të përfundojë numërimi i votave, Shkrela shprehet se brenda orë 22:00 mund të kemi rezultatin për subjektin politik. Me mbarimin e numërimit për subjektin politik, do të bëhet dy orë pushim për tu rikthyer për të nisur numërimi për kandidatët.