Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka folur për mediat nga një qendër votimi në Bashkinë e Vorës.
Pak para mbërritjes së tij në këtë qendër votimi u regjistruan edhe disa incidente e debate mes disa qytetarëve dhe deputetit të PD, Flamur Noka.
Lidhur me këto përplasje, Celibashi tha që përfaqësuesit politikë t’i ngrenë shqetësimet e tyre pranë KQZ-së, në mënyrë që të shmangin konfrontimet.
“E referuan anëtarët e KZAZ atë situatë. Nuk di të them mbi ç’bazë ka ndodhur ai konflikt, por një gjë mund ta them me siguri se është më me shumë dobi, e kuptoj shqetësimin që një subjekt zgjedhor mund të ketë në momente të caktuara të procesit zgjedhor, por është më me kuptim, më me dobi që përfaqësuesit politikë t’i adresojnë këto shqetësime në KQZ. E kuptoj që ndonjëherë në terren situatat nuk mund të përcillen aq qetë sa ne mund t’i shohim nga tavolina e punës tonë, por për këtë kam këshillë për të gjithë përfaqësuesit politikë, por veçanërisht për kandidatë për deputetë, sa më larg qendrave të votimit”, tha ai.
Ndërkohë përsa i përket procesit të votimit, Celibashi u shpreh se në përgjithësi ka qenë pozitiv.
“Jemi në Vorë për të parë nga afër ecurinë e procesit në këtë bashki. Nga komuniket që patëm me anëtarët e KZAZ, duket që procesi zgjedhor është duke shkuar mirë, të paktën për aspektin e përdorimit të teknologjisë, si për pajisjet e votimit elektronik si për të identifikimit. E në ato 2-3 qendra votimi që vizituam, konstatuam që nuk ka probleme”, tha Celibashi.