Kryedemokrati Sali Berisha ka prezantuar kandidatët e PD për qarkun e Elbasanit, në Pallatin e Sportit të këtij qyteti.
Mes qindra të pranishmëve, Berisha gjatë fjalës së tij tha se Elbasani po shkretohet dita-ditës nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.
Berisha sulmoi edhe kryeministrin Edi Rama gjatë fjalës së tij, për të cilin tha se ka ndërtuar saraje me themele 2 herë më të gjata se vila e diktatorit Enver Hoxha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Elbasanit, të nderuar demokrate e demokratë, të nderuar kandidatë, përfaqësues të ardhshëm të qytetit të Elbasanit në parlamentin shqiptar, përshëndetjet e mia më të përzemërta, nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme për këtë pritje të zjarrtë, për këtë entuziazëm të jashtëzakonshëm, energji e vërtetë e fitores sonë të ardhshme.
Tre javë më parë unë isha në qytetin e bekuar të Elbasanit për të festuar bashkë me ju festën tuaj dhe të gjithë shqiptarëve, Ditën e Verës, ditën e shpresës, ditën e ndërrimeve të mëdha.
Sot unë rikthehem sërish në këtë qytet për të dhënë mesazhin se këtë vit Elbasani dhe mbarë Shqipëria do të kenë një ditë të dytë vere dhe kjo do jetë 11 maji.
11 maji do të jetë dita e përfundimit të dimrit më të gjatë 12-vjeçar që përjetuan shqiptarët.
11 maji do jetë dita e pranverës së vërtetë të demokracisë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
11 maji do jetë dita kur rrezet e diellit do shkëlqejnë në Elbasan dhe në mbarë Shqipërinë.
Për Elbasanin madhështor dhe Shqipërinë madhështore të 4 viteve që vijnë.
Elbasani është një qytet i mrekullueshëm.
Elbasani historikisht ka qenë qytet i gjallërisë, i kulturës, i vlerave, i dijes, i prodhimit.
Pra ka qenë një qytet me trashëgimi tejet të çmuar.
Në 12 vitet e Edi Ramës, Elbasani u shkretua më shumë se në çdo pushtim, më shumë se në çdo luftë.
Elbasani në këto 12 vite pa ato që nuk i kishte parë ndonjëherë.
Pa banditët e qeverisë të zvarrisin komisarët.
Pa banditë të porosisin vrasjet e avoketërve dhe qytetarëve të tjerë.
Pa hienat e krimit të vërsulen mbi vullnetin e qytetarëve për të grabitur votat.
Pa gjykatës që porosisnin vrasjen e gazetarëve.
Elbasani i bekuar përjetoi shpopullimin më të madh, largimin e dhjetëra mijëra bijve dhe bijave të saj për të ndërtuar ëndrrën e tyre në dherat e tjera dhe jo në Shqipëri, jo në Elbasan.
Gjatë këtyre viteve, taksat tuaja, djersa juaj, mundi juaj, u vodhën. Me këto para, Edi Rama, ministrat e tij, zyrtarët e tij, u shndërruan në sheikët e Shqipërisë.
Por miqtë e mi, aq sa u pasuruan ata, aq shumë u varfëruan qytetarët shqiptarë.
Aq thellë u zhytën në mjerim, në varfëri të skajshme pensionistët shqiptarë.
Familjet shqiptare sot, mbi 40 përqind e tyre, nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre siç duhet.
18 përqind e tyre nuk u garantojnë dot dy vakte fëmijëve të vet.
Me qindra e mijëra janë familjet në sofrën e të cilëve nuk mjaftonte ajo që shtrohej dhe detyroheshin t’u thoshin fëmijëve të tyre, merr rrugët e dheut, gjej fatin tënd.
Sepse Edi Rama zgjodhi të jetojë vetë në sarajet me themele dy herë më të gjata se vila e diktatorit Enver Hoxha.
Se Edi Rama zgjodhi me këto para të jetojë vetë, të ketë një oborr 4 herë më të madh se diktatori.
Por një gjë do u them këto, diktatori ishte njeriu më mizor, por atë oborr dhe atë vilë nuk e regjistroi në emrin e tij.
Kurse Edi Rama me 4 mijë euro kursime u bë me saraje dhe park 8 mijë metra katrorë.
Me këto para, ai shëtit me avion taksi 21 milionë euro në dy vite.
Me këto para, Lubi Balluku dhe Maznik Ndragheta u ulën në tavolina me 1 mijë euro bifteku.
Me këto para, Edi Rama shkon në ndeshje me 28 mijë euro biletën.
Me këto para, Edi Rama zhytet në luks gjithnjë e më shumë të vetes dhe familjarëve të tij.
Blen kopshtin e Edenit në oborr sepse do të çlodhë sytë me peshqit ekzotikë dhe bimët ekzotike. Nuk e bën asnjë kryeministër në botë.
Me këto para, Lubi Balluku lan makinën e vet 10 mijë euro në muaj, as në Gines nuk do gjeni një rekord të tillë.
Pra, këta njerëz prej 12 vitesh, si shushunja i shkretojnë, i varfërojnë, i mjerojnë shqiptarët.
Elbasani është dëshmi e njërës prej vjedhjeve më të mëdha të shekullit.
Ja ku është llamarina që solli Edi Rama me ministrat e tij.
Jashtë funksioni, nuk ka prodhuar asnjë kilovat orë që kur është instaluar.
Sot mali i plehrave është më i madh se kurrë sepse paratë përfunduan në llogaritë e Edi Ramës, Gjiknurit dhe ministrave të tij.
Kjo ishte vjedhja më e madhe sepse në Tiranë, djegësi 130 milionë euro, nuk ka asnjë tullë. Po 130 milionë euro janë që të gjitha taksat tuaja, janë mundi dhe djersa juaj.
Ata që duhet të vëzhgonin, të kontrollonin ndërtimin, ata mbyllën sytë. Lubi Balluku që kishte detyrë shtetërore mbikëqyrjen, nuk bëri qoftë edhe një raport të vetëm, sepse e dinte se 130 milionë euro ndaheshin midis Edi Ramës dhe Erion Veliajt.