Kryeministri Edi Rama ka inauguruar këtë të premte tunelin e Murrizit, i cili u prit nga qindra qytetarë dibranë me duartrokitje.
Përfundimi i rrugës së Arbrit dhe hapja e Tunelit të Murrizit shkurton kohën e lëvizjes nga Tirana në Dibër me rreth 3 orë.
Në ceremoni mori pjesë edhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila tha se ky tunel është një vepër arti pasi është i gjithi i blinduar me hekur, si një unazë hekuri, për shkak të gjeologjisë.
“3.8 kilometra i gjatë, plotësisht i kompletuar. Kemi bërë testet mbrëmë natën vonë. Gjithashtu, këtu ndodhen edhe njësitë e zjarrfikësve. Kemi edhe tunelin paralel që është tuneli i emergjencës, me 11 hyrje dhe dalje.
Nuk parashikohet të ketë ndonjë ndërprerje trafiku në vazhdim. Është një vepër arti pasi është i gjithi i blinduar me hekur, si një unazë hekuri, për shkak të gjeologjisë”, tha ministrja Balluku.