Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri të martën e 24 shkurtit, mbi 80 mijë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi kanë kërkuar të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.
Qytetarët shqiptarë në Greqi përbëjnë rreth rreth 28% të kërkesave për të votuar nga rreth 227 mijë kërkesa që janë deri tani në total nga diaspora.
Qytetarët shqiptarë në Greqi renditen pas qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Itali, të cilët kanë dorëzuar deri më tani në KQZ rreth 111 mijë kërkesa.
Sipas bazës elektronike të të dhënave të KQZ rreth 50 mijë qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqinë fqinje u është pranuar kërkesa dhe janë miratuar si zgjedhës nga Komisioni Qëndror I Zgjedhjeve, ndërsa rreth 13 mijë prej tyre janë refuzuar për mungesë dokumentacioni.
Të dhënat e Ministrisë greke të Emigracionit në Janar të këtij viti flasin se rreth 277 mijë shqiptarë rezultojnë me lejeqëndrimi të rregullta në Greqi duke përbërë 55,9% të të huajve në këtë vend.
Kësaj shifre për shqiptarët në Greqi i shtohen edhe rreth 15 mijë pjesëtarë të pakicës greke të cilët kanë në Greqi një status tjetër atë të “homogjenit” dhe e kanë të drejtën për të votuar në Shqipëri pasi e kanë ruajtur nënshtetësinë shqiptare edhe pas emigrimit në Greqi.
Por, sipas analistëve të shtypit nga Athina, shifra e shqiptarëve me dokumente shqiptare në Greqi, por që nuk kanë ende lejeqëndrimi greke, mund të jetë shumë më e lartë se të dhënat e ministrisë greke të Emigracionit.
Regjistrimi deri tani i rreth 50 mijë prej për të votuar në zgjedhjet shqiptare flet për një ritëm ende të ulët ndërkohë që afati i regjistrimit për të votuar skadon më 4 mars.
Partitë kryesore politike shqiptare kanë zhvilluar ditët e fundit fushata intensive në disa zona të Greqisë të banuara në masë të madhe nga emigrantët shqiptarë duke i nxitur të regjistrohen dhe të votojnë.
Ndërkohë autoritetet shqiptare ndërmorën disa hapa fillimin e këtij viti për të mundësuar në disa ishuj greke pajisjen me dokumente identiteti të qytetarëve shqiptarë përmes platformave të lëvizshme për t`u mundësuar regjistrimin në zgjedhjet shqiptare të 11 majit.
Sipas vlerësimeve të Institutit shqiptar të Statistikave në studimin “Diaspora në shifra 2020” numri i shtetasve shqiptarë jashtë vendit llogaritet deri në këtë vit të jetë rreth 1,68 milionë të cilët përbjnë rreth 37 % të shtetasve shqiptarë në total.
Ndërkohë sipas të dhënave jo zyrtare në janar të vitit 2025 numri i shqiptarëve në diasporë ka shkuar në rreth 1,75 milionë.
Deri mesditën e së martës së 24 shkurtit në bazën e të dhënave për regjistrimin e votuesve nga jashtë të KQZ rezultonin 226780 shtetas shqiptarë që kanë bërë kërkesë për regjistrim për të votuar me postë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Deri tani sipas KQZ 181,371 shtetasve u është miratuar kërkesa dhe 39,282 u është refuzuar.
Qarqet me numrin më të madh të zgjedhësve nga jashtë vendit të regjistruar deri më tani janë Tirana, Fieri, Durrësi, Elbasani, Korça dhe Vlora./VOA