Prokuroria e Posaçme ka dhënë ditën e sotme pretencën ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.
SPAK kërkon 3 vite burg për të.
“Goro të deklarohet fajtor për shpërdorim detyre dhe refuzim për deklarim e fshehje pasurie”, deklaroi prokurori i posaçëm Ols Dado gjatë seancës gjyqësore.
Kujtojmë se SPAK e akuzon ish-kryebashkiakun për dy raste.
Në rastin e parë, sipas prokurorisë, Goro bashkë me dy ish-drejtorët e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi dhe Vasillaq Strakosha kanë përcjellë te institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5,500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.
Edhe në rastin e dytë, të dy ata, referuar Prokurorisë, kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe toke bujqësore mbi 5 mije metër katrore, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Më pas, kjo pronë është shitur te investitorët duke u dhënë edhe një leje ndërtimi për një kompleks turistik.
Jorgo Goro u arrestua në Mars të vitit të shkuar, ndërsa gjatë seancave gjyqësore i ka mohuar akuzat./tvklan