6 të rinj sonte në studion e “Opinion” në Tv Klan. Teksa një pjesë janë pjesë e partive të ndryshme politike, Françeska Muço jep kontributet e saj duke u angazhuar me shoqërinë civile. Ajo thotë se aktualisht në shoqërinë shqiptare mungon besimi tek ndryshimi apo premtimet që jepen. Theksoi se nga një monitorim që ka bërë online, rezulton se asnjëra nga partitë nuk ka një program apo material për rininë, gjë që sipas saj tregon mungesë vizioni.
“Nuk ka një program për rininë apo material, këtu flasim për zërin dhe sa peshë ka rinia. Të paktën sipas materialave që janë online, se mund të kenë ndonjë program nëpër seli, nuk ka një të tillë. Ajo tregon vizionin, të kesh program partie. 65% e të rinjve nuk besojnë në partitë politike, ndodh nga modelet negative që ne kemi pasur deri më tani. Është e nevojshme t’i jepet hapësira edhe në forume rinore politike. Ka mekanizma, forumet, këshillat rinorë vendorë, qendrat rinore multifunksionale”, u shpreh Muço.
Po pse Françeska ka zgjedhur të mos merret me politikë?
“Unë nuk kam dëgjuar prej kohësh një debat konstruktiv. Nuk shikoj një mjedis ku të rinjtë apo profesionistë të rinj mund të angazhohen dhe të kenë një zhvillim meritokratik, politik, në një parti secila qoftë ajo. Modelet që Shqipëria prodhon nuk janë frymëzuese!”, tha ajo.