“Stop” është në Kombinat me zotin Kastriot Laraku, pasi ky i fundit prej disa muajsh, sorollatet nga një zyrë në tjetrën në degën e përfitimeve për pensionin e nënës. Kastrioti kërkon të bëjë një pagesë të kontributeve vullnetare, që e ëma të sigurojë një pension minimal.
Por përgjigjet që ka marrë kanë qenë të ndryshme. Përgjigja e degës së përfitimeve është se në total nënës së Kastriotit, i rezultojnë 12 vite e 9 muaj vitet pune, por te zyra e pagesës së kontributeve vullnetare, i japin tjetër shifër.
“Në Maj të 2023 jemi paraqitur tek zyra e Kontributeve Vullnetare për të se sa vite duhet të plotësonim në mënyrë që të përfitoni pensionin prej 15 vitesh, domethënë gjysmë pensioni. Dhe sipas llogaritjeve që ka bërë zonja Mirela që ndodhet tek Institucioni i Sigurimeve Shoqërore tha se mungojnë 16 muaj në total për të plotësuar 15 vite. U bë mbyllja e pensionit pastaj nga ana e zonjës, bëri kërkesë për përfitim pensioni, pritën 45 ditë kohën e përcaktuar dhe erdhi përgjigja që rezultojnë 12 vite e 9 muaj. U paraqitëm përsëri tek dega e Kontributeve Vullnetare dhe i thashë që më ka ardhur kjo përgjigje e nuk janë plotësuar 15 vite. Pensioni i fillonte mamit në 3 Tetor, do merrte dhe bonusin e fundvitit. Dega e përfitimeve thotë që janë 12 vite e 9 muaj dhe kur u paraqita tek dega e Kontributeve Vullnetare thonë 13 vite e 8 muaj. Të dyja janë institucione zyrtare. Kujt t’i besosh?! Asnjërës prej tyre nuk u besova kështu që vendosa që t’iu telefonoja ju mbase do e zgjidhnit ju”, tha denoncuesi.
Për të pasur një saktësim Kastriot Laraku shkon në zyrën e pagesës së Kontributeve Vullnetare dhe takon specialisten e quajtur Mirela, ku kjo e fundit refuzon të pranojë përgjigjen e degës së përfitimeve.
“Tani, me këtë llogaritjen që bëra unë me këtë periudhën, që kishe këtu, sipas llogaritjes time i del, që duhet të paguajë dhe 1 vit e 4 muaj. Kështu, kushdo që i ka bërë i ka bërë gabim dhe thuaj, që kaq është detyrimi, nuk kam 12 vite e 9 muaj, por kam 13 vite e 8 muaj. Të të kthej këtë përgjigje, se i bie të paguash më pak se kjo, i bie të paguash 1 vit e 4 muaj”, tha specialistja.
“Stop” shkoi në drejtorinë rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku kryetarja e degës së përfitimeve, Anila Take, saktëson se llogaritja bëhet nga kjo zyrë dhe diferenca, që duhet të paguajë Kastriot Laraku që e ëma të fitojë pensionin minimal, është 2 vjet e 4 muaj kontribute.
“Dega që llogarit vjetërsinë e punës. Nëse është e plotësuar vjetërsia e punës për të dalë në pension, është Dega e Përfitimeve që ajo drejton qytetarin në degën e kontributeve për të bërë pagesa shtesë në rastet kur është e nevojshme. Dhe në këtë rast zonja më 16 Dhjetor ka marrë një përgjigje nga Dega e Përfitimeve ku i është përcaktuar vjetërsia nga ne. Është bërë një keqinterpretim i kësaj shkrese nga Dega e Kontributeve që e kanë drejtuar për të bërë pagesë më shumë nga ajo çka ne e kemi drejtuar. Zonjës i kërkojmë ndjesë, ajo do të paraqitet përpara Degës së Kontributeve do të bëjë pagesën që e ka drejtuar Dega e Përfitimeve dhe nga momenti që do të bëjë atë pagesë fillon pensioni i zonjës”, sqaroi Anila Take./tvklan.al