Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar lidhur me protestën e opozitës, e cila do të zhvillohet sot rreth orën 17:00, ku është paralajmëruar se do të bllokohen rrugët.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Braçe thotë se bllokimi i rrugëve në kryeqytet është kundër interesit të qytetarëve.
Protestën e opozitës, Braçe e krahason me sulmin e ndodhur në një treg Krishtlindjesh në Gjermani.
“Tirana do ta ketë ditë vuajtje sot, bashkë me të, të gjithë ata që vijnë e ikin në këtë qytet, të gjithë ata që jetojnë në këtë qytet, punojnë këtu, duan të kryejnë nevojat e tyre, përfshi nevojat e tyre jetësore në këtë qytet!
Të bllokosh Tiranën, nuk është interes publik, është kundër interesit publik! Të bllokosh Tiranën, një ditë para krishtlindjes e në orët e pasdites, është mu si ato makinat e ekstremisteve që hyjnë në tregjet e krishtlindjes për të dëmtuar, krijuar panik, trembur!
Të bllokosh Tiranën, një ditë para krishtlindjes, një festë që e festojnë të gjithë bashkë, pa ndarje e në paqe me njëri tjetrin, është thjesht mllef e urrejtje ndaj njerëzve normale që nuk të bëhen pjesë, nuk të mbështesin, duan të mbetet normale në këtë qytet”,-thotë Braçe.