Infertiliteti prek rreth 2 në 10 çifte në Shqipëri pasi sipas mjekëve 15-20% e nuk arrijnë të sjellin në jetë një fëmijë. Për t’u ardhur në ndihmë këtyre çifteve, në maternitetin “Koço Gliozheni” është ngritur qendra e riprodhimit mjekësor të asistuar me financim 100% nga shteti. Drejtori i maternitetit, Genci Hyska shpjegon mënyrën për të përfituar nga kjo procedurë me kosto të lartë.
“Asnjë paciente nuk kalon në konsultë drejtpërsëdrejti me institucionin tonë. Çdo paciente do kalojë përmes sistemit të referimit dhe pasi plotëson dokumentacionin tek mjeku i familjes, tek gjinekologu obstetër, gjinekologu i qendrës shëndetësore apo të qytetit ku banon, drejtohet tek ne dhe gjithë dokumentacionin që e ka plotësuar, ekipi i mjekëve që merren me procedurën, bën triazhimin e pacienteve që plotësojnë ose jo kërkesat”, tha Hyska.
Një nga kriteret përfitues është mosha e nënës.
“Ka një kriter moshe, që është deri në 42 vjeç. Gjithsej kemi 69 paciente që janë plotësuar për të bërë procedurën, nga këto 27 kemi mbyllur dhe i janë nënshtruar. Kemi 19 raste me transfertë dhe nga këto kemi 8 me sukses”.
Lindje të tilla mund të kryhen tek një paciente vetëm dy herë me financim nga shteti. Për t’iu nënshtruar procedurës, nëna nuk duhet të këtë probleme shëndetësore.
“Një paciente mund ta kryejë procedurën vetëm dy herë në shtet. Pacientja duhet të jetë diagnostikuar me infertilitet, duhet të jetë vlerësuar nga mjekët që nuk ka arsye për të mos e realizuar apo fsheh sëmundje malinje”, thotë Blerti Çami, obstetër-gjinekolog.
Janë një sërë faktorësh që po ndikojnë në infertilitetin e çifteve në Shqipëri, si mosha e madhe, përdorimi i alkoolit, substancave narkotike, por edhe faktorë ambientalë e gjenetikë.