Policia e Korçës ka nisur hetimin ndaj një 40 vjeçare, pasi shiste lëndë piroteknike të kontrabanduara, si fishekzjarrë dhe kapsolla.
Sipas uniformave blu mësohet se gjatë kontrollit në biznesin e saj janë sekuestruar dhjetëra fishekzjarrë dhe kapsolla të kontrabanduar, ndërsa të ardhurat nga shitja e tyre fshiheshin.
“Në vijim të kontrolleve që ushtrojnë në subjekte të ndryshme, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme, shërbimet e Policisë të DVP Korçë kanë konstatuar se në një subjekt në lagjen nr.8, shiteshin lëndë piroteknike. Nga verifikimet e kryera më tej rezultoi se lëndët piroteknike ishin të kontrabanduara dhe se fshiheshin të ardhurat e përfituara nga aktiviteti në këtë subjekt.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për pronaren e subjektit, shtetasen A. F., 40 vjeçe, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave””, njofton policia.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al