Sipas MeteoAlb, depërtimi i masave ajrore të ftohta nga verilindja e kontinentit do të diktojnë kushtet e motit në vendin tone duke sjellë rënie të menjëherëshme të temperaturave.
Përsa i përket motit, vranësira dhe reshje shiu e dëbore do të ketë në orët e para të mëngjesit në zonat veriore dhe qëndrore, por sasia e tyre do të jetë e pakët. Pas mesditës dhe në vijim pritet përmirësim i kushteve atmosferike duke rikthyer kthjellimet në vend, më të theksuara përgjatë vijës bregdetare.
Parashikohet që edhe nata të mbetet nën dominimin e kthjellimeve dhe vranësirave të herëpashershme në të gjithë territorin e vendit.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstremale duke luhatur vlerat ditore nga -3°C vlera minimale e shënuar në zonat verilindore deri në 15°C vlera maksimale e cila pritet në Jugperëndim të territorit.
Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare si në tokë dhe në det me shpejtësi mbi 35 km/h nga drejtimi Verilindor – Lindor; duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.