Zëvendës Ndihmës Sekretarja Kryesore, Yuri Kim dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari, Alexander Kasanof i kanë shprehur urimet e tyre drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme shqiptare, Altin Dumani i cili u vlerësua nga DASH me çmimin ‘Kampion kundër Korrupsionit’.
Në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në rrjetin social “X” janë postuar fotot nga takimi i tyre pas ceremonisë së djeshme. Bashkangjitur me pamjet, në postim shkruhet:
“Zëvendës Ndihmës Sekretarja Kryesore Kim dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Kasanof iu bashkuan Sekretarit Blinken për të uruar drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme shqiptare Altin Dumani për çmimin Kampion kundër Korrupsionit. Zyrtarët në Uashington rikonfirmuan mbështetjen e fortë për luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet ne postimin e ambasades.
Kujtojmë se ditën e djeshme, kreu i SPAK u shpall kampion nga Departamenti Amerikan i Shtetit në luftën kundër korrupsionit për vitin 2024.
Ai u vlerësua, pasi si drejtues i SPAK ka goditur politikanë të lartë, por edhe grupe të rëndësishme kriminale, duke bërë punë të jashtëzakonshme dhe duke e kthyer institucionin që drejton, më të besueshmin në Shqipëri. Ky vlerësim ju dha gjatë një ceremonie të zhvilluar në Uashington.