Moti i keq me reshje bore që ka përfshirë kryesisht zonat malore të vendit prej së premtes ka vijuar edhe gjatë orëve të natës.
Në Qarkun e Korçës ne lartësitë mbi 1.200 metra mbi nivelin e detit reshjet e borës vazhdojnë me intesitet mesatar.
Në Dardhë trashësia e borës ka shkuar në 15 cm, ndërsa në zonat e thella malore të Korçës, Devollit, Pogradecit dhe Kolonjës trashësia e borës varion nga 20-30 cm.
Akset nacionale të juglindjes qarkullohen normalisht, ndërsa aksi i ri, Qafë Qarri- Erseke nuk është i kalueshëm dhe mjetet lëvizin nga rruga e vjeter, e cila është e hapur. Nga moti i keq në këtë qark kanë mbetur pa energji rreth 5 mijë abonentë.
Në qarkun e Shkodrës, gjatë natës në zonat malore reshjet e borës kanë qenë me intensitet të lartë. Megjithatë akset rrugore janë të kalueshme.
Reshje bore ka patur edhe qarkun e Dibrës, por temperaturat në vlera pozitive, u kanë dhënë mundësi kompanive kontraktore të punojnë për hapjen e rrugëve dhe kriposjen e tyre.
Në qytetin e Peshkopisë bora arriti në 15 cm, ndërsa në zonat malore si Kalaja e Dodës, Sllova, Selishta dhe Lura trashësia kalon mbi 30 cm.
Aksi Peshkopi – Bulqizë – Tiranë nuk ka borë në trupin e rrugës, por kërkohet kujdes në Baypasin e Murrizit. Aksi Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës kalimi kryhet normal pa zinxhirë.
Ndërkohë po punohet për hapjen e rrugëve të fshatrave të thella, dhe qendrave të njësive Administrative.
Tv Klan