Kreu i SPAK, Altin Dumani ka njoftuar ditën e sotme se shqetësimi i SPAK nuk ka lidhje me subjektet e shkarkuara nga vetingu, por me ata që kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit.
Teksa ka folur mbi rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile, ai thekson se ky bashkëpunim sjell përfitime për të dyja palët.
Gjatë fjalës së tij, Dumani ka thënë se SPAK është e hapur për të bashkëpunuar në të ardhmen mbi tematika të ndryshme që kanë interes të përbashkët.
“SPAK ka marrë në ndjekje penale gjyqtarë të Kushtetueses, të Gjykatës se Lartë, të KPA, prokurorë të juridiksionit të përgjithshëm, apo oficerë të policisë gjyqësore. Shqetësimi më i madh për SPAK nuk janë subjektet e shkarkuara, por ata që kanë kaluar këtë proces dhe vijojnë të ushtrojnë funksionin.
Problem është që janë në sistem dhe kanë premisa për të kryer veprime korruptive. Secili institucion të përmbushë detyrimet e veta. I bëj thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo akt korruptiv të gjyqtarëve apo prokurorëve. Institucionet përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit duhet të jenë aktive dhe të furnizojnë SPAK me informacion”, tha Dumani.