Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi disa ditë më parë në Tiranë. Për këtë ngjarje janë arrestuar dy vëllezërit, Shkëlqim dhe Florian Duka, me të cilët kishte një konflikt pronësie.
Për zbardhjen e krimit, hetuesit realizuan një eksperiment hetimor për të përcaktuar pozicionin e mundshëm nga ku mund të ishte qëlluar biznesmeni, si dhe drejtimin e plumbit.
Ky hulumtim ka qenë një hap kyç për të ngushtuar hetimet dhe për të identifikuar burimin e plumbit që shkaktoi vdekjen e Reçit. Pas analizës së këtyre elementeve, hetuesit kanë arritur të kryejnë një hetim të detajuar mbi vendndodhjen e autorëve të dyshuar.
Në vijim të hetimeve, policia ka shqyrtuar kamerat e sigurisë përreth zonës ku ndodhi vrasja, duke zbuluar prova të rëndësishme që çuan në ndjekjen e vëllezërve Duka.
Gjatë kontrolleve të kryera në banesat dhe lokalin e tyre, që ndodhen afër vendit të ngjarjes, u sekuestruan prova të tjera materiale që mbështesin dyshimet për përfshirjen e tyre në ngjarjen kriminale.
Për më tepër, hetuesit zbuluan se vëllezërit Duka kishin pasur një konflikt të hapur me Eduart Reçin lidhur me pronësinë e truallit ku ai po planifikonte ndërtimin e pallatit.
Pas realizimit të një sërë veprimesh hetimore dhe kontrolli të dokumenteve, dy vëllezërit Duka u arrestuan dhe janë vënë në pranga me akuzat për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje armësh”.