Zhvillimi i teknologjisë dhe përhapja e shpejtë e internetit ka transformuar mënyrën se si ne komunikojmë, punojmë dhe argëtohemi, duke shtuar qasjen në informacion dhe mbështetur rritjen e biznesit.
Në një botë digjitale që po përshkon në mënyrë progresive çdo fushë të jetës sonë të përditshme, siguria është një domosdoshmëri për përdoruesit, bizneset dhe ekonominë e vendit.
Për të adresuar peizazhin dinamik të kërcënimeve kibernetike lideri i telekomunikacionit, One Albania mbajti një konferencë për sigurinë kibernetike këtë të martë. Konferenca shërbeu si një platformë për dialog të hapur mbi risqet kibernetike dhe nevojën për masa të forta sigurie në sektorë të ndryshëm.
Në fjalën hapëse, drejtori ekzekutiv i One Albania, Brano Djuroviç, theksoi rëndësinë e sigurisë kibernetike për bizneset dhe konsumatorët.
“Në epokën e sotme digjitale, siguria kibernetike nuk është vetëm një çështje teknike; është një aspekt themelor i ekonomisë dhe shoqërisë sonë.
Në One Albania, ne sigurojmë që rrjetet tona të jenë të mbrojtura dhe që klientët tanë të jenë të informuar dhe të ruajtur nga kërcënimet kibernetike. Për më tepër jemi e para kompani TELCO që garanton sigurinë e sistemeve të kompanive të tjera përmes shërbimeve që ofrojmë”, tha Djuroviç.
Konferenca bëri bashkë liderët e industrisë, organet rregullatore dhe aktorët kryesorë për të diskutuar rëndësinë e sigurisë kibernetike në një botë gjithnjë e më digjitale.Të ndarë në dy panele, ekspertët shqyrtuan fillimisht sigurinë në sektorët financiarë dhe më pas diskutimi u ndal tek përmirësimi i mbrojtjes së bizneseve dhe fuqizimi i tyre me njohuri për të garantuar të dhënat e klientëve të tyre.
Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike Igli Tafa dhe anëtari i bordit mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë theksuan se siguria kibernetike është kthyer një prioritet kombëtar.
“Në mars të këtij viti Shqipëria dhe Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike rifreskoi ligjin e ri të sigurisë kibernetike i cili tashmë i jep më shumë fuqi pjesës së implementimit të sigurisë kibernetike në të gjithë operatorët dhe në të gjithë sektorët”, u shpreh Tafa, drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
“Banka e Shqipërisë gjithmonë ka qenë në radhë të parë të iniciativave, qoftë për digjitalizimin e sistemit financiar, qoftë edhe për krijimin e mbrojtjes së këtij digjitalizimi. Dy vjet më parë ne miratuam rregulloren e autoidentifikimit dhe open banking”, tha Deniz Deralla, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë.
Ndër të tjera, kjo konferencë shërbeu edhe për të riafirmuar rolin e One Albania, jo vetëm si një kompani e përgjegjshme që njeh nevojën për rritjen e masave të sigurisë kibernetike, por edhe si një ofrues i shërbimeve që kanë qëllim ruajtjen e të dhënave sensitive dhe garantimin e sigurisë për bizneset.
Si një kompani që ka në fokus transformimin digjital dhe nxitjen e një mjedisi të sigurt, One Albania është në krye të avancimeve teknologjike, duke ofruar një gamë të gjerë shërbimesh: EPP, EDR, shërbimi virtual PBX, SIP, shërbimet e Hostuara dhe Cloud etj.
One Albania do të vijojë të investojë në teknologji të përparuar dhe zgjidhje efikase, duke siguruar që klientët e saj, por edhe komuniteti më i gjerë të mund të gëzojnë përfitimet e botës online pa rrezikuar sigurinë e tyre në internet.